TRASHËGIMIA
Dokumente të Ish-Sigurimit të Shtetit
Në korrik 2017, SHISH dorëzoi fondin arkivor të ish-sigurimit tek Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
Në korrik 2017, SHISH–i dorëzoi tek Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), të gjithë fondin arkivor që i përkiste periudhës nga 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991, pavarësisht nga data e grumbullimit të tyre në arkiv. Në këtë fond arkivor përfshihen dosje personash apo çështjesh, dosje të rëndësisë së veçantë, dosje agjenturore, dosje të tjera operative, fashikuj të ndryshëm, regjistra, procesverbale, statistika, kartela, libra, studime, tema, etj.
SHISH-i ka kryer një punë voluminoze për kategorizimin e këtyre materialeve. Përmasa e këtyre përpjekjeve ilustrohet nga fakti se janë dorëzuar mbi 100 dosarë, mbi 52 000 dosje dhe mbi 5 400 fashikuj. Çdo dosar ka dosje më vete dhe çdo dosje është e ndarë në volume.
Ky dorëzim është kryer në zbatim të:
- Ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”
- Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 98, datë 15.2.2017 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit nën administrim e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin informativ të Shtetit dhe në autoritetet e tjera publike”
- Urdhrit të përbashkët mbi dorëzimin e dokumentacionit të Ish-Sigurimit të Shtetit, (qershor 2017) ndërmjet SHISH-it dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
Dorëzimi është pjesë e përpjekjeve të SHISH-it për ta bërë këtë material arkivor të vlefshëm edhe për studiuesit apo për publikun, me qëllim njohjen sa më mirë të kësaj periudhe historike. Konsultimi me këto materiale bëhet sipas rregullave të caktuara për materialet e klasifikuara dhe për përdorimin e të dhënave personale.