SHISH sot

SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e SHISH-it bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit. Struktura dhe organika e SHISH-it propozohen nga Drejtori dhe miratohet nga Kryeministri. Parimet bazë të punës së këtij institucioni janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka këto detyra kryesore:

- Mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar;

- Kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, pavarësisë e rendit kushtetues;

- Mbledh informacion për terrorizmin, prodhimin e trafikun e narkotikëve, prodhimin e armëve të dëmtimit në masë dhe krimet kundër mjedisit;

- Mbledh informacion për krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare;

- Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, punonjësve dhe pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;

- Kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave për realizimin e funksioneve të mësipërme.

Për realizimin e detyrave të mësipërme Shërbimi Informativ Shtetëror ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Shërbimi Informativ Shtetëror e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me procedurat e hartuara nga Drejtori dhe të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi zbatimin e këtyre procedurave.

Kontrolli dhe raportimi
Veprimtaria e Shërbimit Informativ të Shtetit kontrollohet nga Kuvendi, nëpërmjet Nënkomisionit të Përhershëm Parlamentar të ngritur për këtë qëllim. Drejtori i raporton komisionit të paktën një herë në vit. Raportimet në këtë komision bëhen në mënyrë të tillë që të mbrohen burimet dhe informacioni i klasifikuar. Nënkomisioni i Përhershëm Parlamentar ka të drejtë të kontrollojë përdorimin e fondeve për veprimtari specifike operative të SHISH-it. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror raporton edhe në Këshillin e Ministrave, sipas përcaktimit të Kryeministrit.