Selia

Selia qendrore e Shërbimit Informativ është ndërtuar në vitet '90-të. Më parë Aparati Qendror i SHISH-it ndodhej në një godinë në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë. Zhvendosja e Aparatit Qendror në ish-ambjentet e Shkollës Ushtarake në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë dhe ndërtimi i godinës së re mundësoi përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të punës dhe sigurisë, si dhe respektimin e kritereve të nevojshëm për administrimin dhe ruajtjen e informacionit të klasifikuar. Në bazë të vendimit të qeverisë, për ruajtjen e informacionit merren masa fizike, teknike, elektronike dhe procedurale për ruajtjen e zonave, ndërtesave, zyrave, dhomave dhe pajisjeve ku prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, transmetohet, ruhet, arkivohet dhe shkatërrohet informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Masat e sigurimit fizik kanë për qëllim mbrojtjen e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” të NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, nga:

- veprimtaria e shërbimeve të huaja;

- sulmet terroriste;

- vjedhja, dëmtimi, komprometimi, humbja, shkatërrimi, etj.;

- njohja nga persona të paautorizuar, të pacertifikuar, etj.;

- aksesi i personave të paautorizuar në një nivel të caktuar informacioni të klasifikuar.

Brenda perimetrit të hapësirave të institucionit, ku qarkullon informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, përcaktohen zonat e sigurisë. Ato ndahen në: Zona e Sigurisë e Klasit të Parë, Zona e Sigurisë e Klasit të Dytë dhe Zona Administrative.

a) “Zona e Sigurisë e Klasit të Parë” është zona që ka një perimetër të mbrojtur dhe të përcaktuar qartë, ka kontrolle të brendshme të rrepta dhe të përforcuara, ka të kontrolluar regjimin e hyrje-daljeve, ku lejohen vetëm personat e certifikuar përshtatshmërisht dhe të autorizuar specifikisht për të hyrë. Në këtë zonë prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, shumëfishohet, ruhet, transmetohet dhe arkivohet informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, të nivelit “Konfidencial” e lart dhe ku, si rregull, administrohet një volum i madh i këtij informacioni. Zona të Sigurisë të Klasit të Parë janë zyrat e informacionit të klasifikuar (protokoll/arkivi, kartoteka, arkivi, dhoma e serverit, shifrës), Zyra e Regjistrit Qendror të NATO-s, Zyra e Nënregjistrit Qendror të NATO-s, zyra e titullarit në çdo institucion shtetëror, si dhe çdo objekt tjetër që, sipas specifikave të institucioneve, konsiderohet i rëndësishëm.

b) “Zona e Sigurisë e Klasit të Dytë” është zona që ka një perimetër të mbrojtur dhe të përcaktuar qartë, ka të kontrolluar regjimin e hyrje-daljeve, ku lejohen vetëm personat e certifikuar përshtatshmërisht dhe të autorizuar specifikisht për të hyrë. Në këtë zonë prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, shumëfishohet, ruhet, transmetohet dhe arkivohet informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror” i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të nivelit konfidencial e lart.

c) “Zona administrative” është zona përreth zonave të sigurisë së klasit të parë dhe të dytë, me një perimetër të caktuar, ku ekzistojnë mundësitë për monitorimin dhe kontrollin e personave dhe të mjeteve. Në këto zona administrohet vetëm informacioni i klasifikuar i nivelit “I kufizuar”.