Historia

Duke nisur nga dhjetori 2018, mjediset e Shërbimit Informativ të Shtetit përfshijnë edhe një mini-muze, të përuruar me rastin e 106 vjetorit të krijimit të këtij institucioni.

Muzeu, i ndërtuar në një sallë rrethore, formë e cila simbolizon qarkullimin e informacionit, duke i bërë jehonë edhe logos zyrtare të SHISH-it, ka për qëllim të ekspozojë disa dhjetëvjeçarë veprimtari dhe pajisje, por edhe të frymëzojë dhe edukojë punonjësit e rinj apo vizitorët, lidhur me aktin largpamës të themeluesve të shtetit shqiptar të cilët vulosën organizimin e shërbimit të fshehtë si edhe lidhur me historikun e kësaj hallke të rëndësishme të shtetit shqiptar.

 

Në muzeun tone modest janë ekspozuar dokumente të paklasifikuara dhe materiale historike, përgjithësisht të 50-60 viteve të shkuara, të cilat shërbejnë si pjesë të kujtesës historike dhe ndihmojnë për të bërë më mirë dallimin në metoda dhe në pajisje pune mes periudhave të ndryshme kohore. Edhe pse modest, SHISH-i shpreson që ky mini-muze, duke u pasuruar edhe më tej, të jetë njëherësh pjesë e asetit kulturor të shtetit tonë.