KONTROLLE PËR VETING

Vetingu është një veprimtari parandaluese, e cila identifikon probleme të mundshme sigurie për persona fizike e juridikë. Vetingu, si procedurë që synon forcimin e sigurisë së organizatave, parandalon individë të caktuar të kenë qasje në të dhënat e ndjeshme apo në pozicione të tilla ku mund të minojnë sigurinë dhe interesat e Republikës së Shqipërisë.
Procedura kryhet nga agjenci të autorizuara informative dhe të sigurisë, mes tyre edhe Shërbimi Informativ i Shtetit. Vetingu i sigurisë është strukturuar sipas standardeve të NATO-s dhe BE-së. Për shkak se vetingu përfshin qasje në të dhënat personale, është përcaktuar një procedurë transparente e rregulluar sipas ligjeve të posaçme. Në vitin 2018, pranë SHISH-it janë paraqitur gjithsej 5015 kërkesa vetingu për pajisjen me Certifikatë të Sigurimit të Personelit të personave të ndryshëm, (certifikatë që lejon njohjen e personave në fjalë me informacion të klasifikuar sekret shtetëror në nivele të ndryshme), kërkesa këto të ardhura nga një varg institucionesh. Mbështetur në informacionet e mbledhura, SHISH-i ka hartuar 3588 praktika dhe, në disa raste, ka kthyer përgjigje negative për vitin 2018.
Grafiku paraqet në shifra këtë veprimtari për 4 vitet e fundit.

2015
Janë hartuar 1704 praktika me rreth 3130 persona aplikues për pajisje me Certifikatë Sigurimi të Personelit (CSP).
2016
Janë hartuar 1466 praktika me afërsisht 4900 persona aplikues për pajisje me CSP.
2017
Janë hartuar 3308 praktika për 4898 persona aplikues për pajisje me CSP.
2018
Janë hartuar 3588 praktika me rreth 5015 persona aplikues për pajisje me CSP.

PRODUKTI INFORMATIV i SHISH-IT PËR PERIUDHËN 2016-2018

Për 2016-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 2944 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informative i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me:

- 378 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit.
- 289 informacione për ministritë e linjës.
- 826 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit.

Për 2017-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3146 informacione për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me:

- 267 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit.
- 274 informacione për ministritë e linjës.
- 1060 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit.

Për 2018-ën, SHISH-i ka prodhuar në total 3601 informacione Për klientët brenda e jashtë vendit. Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit me:

- 521 informacione për Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Kuvendit.
- 302 informacione për ministritë e linjës.
- 1099 me destinacion Agjencitë e hetimit dhe të zbatimit të ligjit.

SHISH-I NË NISMA SOCIALE DHE HUMANITARE

Shërbimi Informativ i Shtetit nuk është një institucion i shkëputur nga jeta sociale e publike e vendit tonë. Ai u është përgjigjur thirrjeve dhe është përfshirë shpesh në nisma dhe veprimtari humanitare e mbështetëse, në nivel lokal apo edhe më të gjerë. Përfituesit e mbështetjes së ofruar me bujari nga ana e SHISH-it kanë qenë individë dhe institucione publike, ndërkohë që SHISH-i nxit vullnetarizmin dhe veprimtaritë humanitare mes punonjësve të tij, me qëllim dhënien vlerë këtyre përpjekjeve, përmes ofrimit të kohës dhe të burimeve nga ana e tyre për njerëzit në nevojë. Gjatë vitit 2018, spikatën dy veprimtari masive të kësaj natyre.
Gjatë vitit 2018, spikatën dy veprimtari masive të kësaj natyre. Në qershor, Shërbimi Informativ i Shtetit iu bashkua nismës së Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar të gjakut, nën moton: “Dhurimi vullnetar i gjakut - akt human dhe qytetar”. Punonjësit e SHISH-it, nën asistencën e strukturave të Kryqit të Kuq, dhuruan gjak në ndihmë të zgjidhjes së një problemi mjaft serioz, atij të mungesës së gjakut të mjaftueshëm dhe të sigurt në spitalet tona, si dhe në shprehje të humanizmit dhe mbështetjes ndaj fëmijëve talasemikë. Drejtuesit e Shërbimit Informativ të Shtetit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe nisma të tjera, që ndihmojnë në ndërtimin e një dimensioni të ri social për komunitetin e inteligjencës. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Shqiptar shprehën konsiderata shumë të larta dhe falënderuan punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit për mbështetjen e programit “Dhurimi vullnetar i gjakut - akt human dhe qytetar”.
Nisma tjetër ishte ajo në mbështetje të fëmijëve jetimë me rastin e festave të fundit të vitit. Ndihma materiale ofruar këtyre fëmijëve në institucionet publike shërben sadopak që kjo bashkësi të përmbushë potencialin e saj dhe të ndjehet pjesë e integruar e një brezi të arsimuar dhe të vlerësuar, i aftë të kontribuojë në përparimin e vendit dhe zhvillimin shoqëror të tij. Punonjësit tanë mblodhën kontribute për fëmijët jetimë të shtëpisë së fëmijës “Hana dhe Rozafa” në Tiranë. Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror falënderoi institucionin tonë përmes një letre të posaçme, duke na siguruar se kontributi ynë do të ndihmojë në krijimin e një të ardhmeje më të mirë për këta fëmijë.

FORMULAR VETEDEKLARIMI PËR ZBATIM TË LIGJIT NR. 138/2015

NJOFTIM CEREMONIE