GJENDJA E SIGURISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

VEPRIMTARIA NË FUSHËN E KUNDËRZBULIMIT

Monitorimi i veprimtarive dhe operacioneve të agjencive jomike informative apo të sigurisë, është prioritet madhor për SHISH-in. Shqipëria është objekt për arsye politike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe intensifikimin e përpjekjeve për integrim në BE, janë shtuar arsyet pse vendi ynë është objektiv me interes në rritje. Përveç ruajtjes së informacionit të klasifikuar kombëtar, Shqipëria ka për detyrë edhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare.
SHISH-i vlerëson se, një aktiviteti i shërbimeve informative jomike është i vijueshëm, i qëndrueshëm në kohë, me prirje rritjeje dhe me ndërthurje të metodave klasike me ato hibride. Interes i tyre mbetet sigurimi i informacioneve mbi zhvillimet e brendshme dhe të jashtme, në raport me proceset integruese euroatlantike, me dinamikën në marrëdhëniet dypalëshe apo rajonale, informacioni konfidencial dhe i klasifikuar, etj. Ato synojnë të pengojnë përpjekjet për integrimin euroatlantik, të dëmtojnë kohezionin mes aleatëve dhe të rrisin ndjeshmërinë e një audience specifike në përputhje me synimet për paraqitjen e aleancës euroatlantike si një faktor kërcënues ushtarak. Vërehen prirje për grumbullim informacioni të klasifikuar, aktivitete influencuese, përdorim të hapësirës kibernetike, propagandës online, dezinformim, në favor të synimeve të tyre strategjike.
SHISH-i punon në mënyrë të vazhdueshme për t’i monitoruar veprimtaritë e tilla, duke përdorur metodat e punës së kundërzbulimit, nëpërmjet verifikimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të individëve dhe zyrtarëve që kanë qasje ndaj informacionit të klasifikuar.

TERRORIZMI

Terrorizmi është një kërcënim global dhe lufta ndaj tij është përparësi shumë e rëndësishme për SHISH-in. Ne vlerësojmë se ISIS/DAESH, Al-Kaeda dhe degët apo grupimet e lidhura me to janë mes grupeve terroriste që paraqesin kërcënim potencial për vendin tonë, rajonin e më gjerë.
SHISH-i bashkëpunon ngushtë me institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese dhe shërbimet partnere, në kuadër të monitorimit dhe parandalimit të veprimtarive terroriste brenda dhe jashtë vendit. SHISH-i është i fokusuar edhe në monitorimin e përpjekjeve për indoktrinim, radikalizim e rekrutim të shtetasve shqiptarë në këto organizata. Pas trysnisë ushtarake, humbjes së Kalifatit të vetëshpallur fizik, reduktimit të financave dhe burimeve njerëzore, ISIS/DAESH ka filluar tashmë zbatimin e strategjisë së shndërrimit në një lëvizje klandestine, e cila vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. SHISH-i vlerëson se kthime masive të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT) nuk janë të pritshme në terma afatshkurtër. Një pjesë e tyre, mund të tentojë të kthehet në vendete origjinës ose në vende të treta, nëpërmjet rrjeteve të trafikut njerëzor dhe krimit të organizuar. Më gjasë, organizata do të tentojë të ringrihet në rajone me vakum sigurie.

Kërcënimi terrorist në rajon dhe në vendin tonë

Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor u përdorën, në fillimet e konfliktit në Siri, si rajone për rekrutime, çka solli një numër të lartë LHT nga rajoni. ISIS/DAESH dhe Al-Kaeda e kanë shënjestruar në vijimësi rajonin nëpërmjet propagandës, thirrjeve e nxitjeve për akte terroriste. Aktualisht, gjendja paraqitet e përmirësuar, vendet e rajonit kanë përforcuarmasat kundër terrorizmit, kanë vënë në zbatim strategji efektive e reforma ligjore në luftën kundër terrorizmit si dhe kanë forcuar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar.
Niveli i kërcënimit për akte terroriste në rajon vijon të vlerësohet i ulët, por me prirje në rritje, sidomos në prag të ngjarjeve simbolike. Deri tani, në rajon nuk ka pasur akte terroriste të bashkërenduara me pasojë viktima, por nuk kanë munguar nxitjet, organizimet për të tilla, të cilat kanë gjetur terren të përshtatshëm në individë të radikalizuar, të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre. Synimet dhe planet për akte terrori janë identifikuar dhe neutralizuar në fazë të hershme.
Udhëtimet e LHT nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim, janë ulur ndjeshëm e po shkojnë drejt ndërprerjes. Numri i të raportuarve të vrarë është rritur: 21% e numrit total. Rreth një e treta e tyre janë kthyer tashmë, kryesisht para adresimeve ligjore. Në terma të përgjithshëm, të kthyerit në rajon kanë ruajtur profil të ulët por, shumë prej LHT të kthyer në vendet e origjinës kanë gjetur të njëjtat kushte jetese, çka ka ndikuar në radikalizmin e mëtejshëm të tyre dhe vijimin e veprimtarive ekstremiste apo bërjen pjesë të komploteve të zbuluara terroriste. Vlerësojmë se, mundësia që vendi ynë dhe rajoni të përdoren si vend tranzit për luftëtarët e huaj apo operativët terroristë drejt vendeve evropiane është në nivel të ulët, për shkak të forcimit të menaxhimit të kufijve dhe bashkëpunimit dypalësh, rajonal apo ndërkombëtar me shërbimet partnere strategjike. Rreziku dhe sfidat nga kjo kategori mbeten konstante, për shkak të vështirësive në identifikimin e tyre, të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara apo nga mundësimi i kalimeve të jashtëligjshme nga rrjete e individë të përfshirë në trafikun njerëzor.

Kundërvënia

Dënimet e LHT, ndryshimet në legjislacion, për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, kanë qenë efektive në uljen e radikalizmit dhe rekrutimit në vend dhe në gjithë rajonin. Vendet e rajonit i janë bashkuar Koalicionit Global Kundër ISIS/DAESH, kanë zhvilluar një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për të kriminalizuar aktivitetet e lidhura me terrorizmin dhe janë duke zbatuar në mënyrë aktive Rezolutën 2178 të KS të OKB-së.
Është rritur në mënyrë domethënëse shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi dypalësh, rajonal e shumëpalësh. Janë realizuar disa aksione policore për arrestimin e personave të dyshuar për veprimtari që lidhen me terrorizmin. Është bërë e mundur identifikimi dhe kapja e personave në kërkim ndërkombëtar për çështje të terrorizmit. Synimi i vazhdueshëm i SHISH-it është vlerësimi i kërcënimeve terroriste në terma afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, si dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera. Me këtë synim, SHISH-i ka forcuar më tej bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, Prokurorinë, AISM-në dhe agjenci të tjera ligjzbatuese. SHISH-i ka dhënë dhe jep një kontribut të vlerësuar edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut në luftën kundër terrorizmit.
Për trajtimin e shkaqeve të radikalizimit që nxit ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, Qeveria e RSH-së ka hartuar dhe po zbaton “Strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm”, me qëllim angazhimin e të gjithë shoqërisë në trajtimin e kësaj dukurie. SHISH-i monitoron gjithashtu edhe individë dhe grupe të përfshirë në veprimtari ekstremiste, nacionaliste apo shoviniste, për aq kohë sa ata kryejnë veprimtari të tilla dhe shkelin Kushtetutën e ligjet e RSH-së, bëjnë thirrje për dhunë mbi motive ideologjike, fetare, politike, raciale apo kombëtare. SHISH-i është i fokusuar edhe në monitorimin e organizatave të ngjashme në rajon, të cilat, me veprimtarinë e tyre, përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare dhe atë rajonale.

KRIMI I ORGANIZUAR, TRAFIKU I LËNDËVE NARKOTIKE, KORRUPSIONI DHE KRIMET NË EKONOMI

Lufta kundër krimit të organizuar, organizatave, grupeve dhe individëve të përfshirë në aktivitet të krimit të organizuar në përgjithësi, dhe atyre në fushën e kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në veçanti, është përparësi kryesore e qeverisë dhe agjencive ligjzbatuese. Si e tillë, ajo përbën një nga fokuset kryesore dhe është objekt i punës së SHISH-it, për shkak të ndikimit negativ në zhvillimin ekonomik, pasojave sociale dhe cenimit të sigurisë kombëtare. Shërbimi ynë bashkëpunon ngushtë në këtë drejtim edhe me shërbimet inteligjente partnere.
SHISH-i vlerëson se, struktura të tilla kriminale janë agresive, kanë prirje për zgjerim dhe përshtatshmëri, për të shmangur masat e shtuara të agjencive të zbatimit të ligjit, përdorim të teknologjisë, komunikimeve të koduara, dokumenteve të falsifikuara, identiteteve të ndryshme, etj. SHISH-i përfaqësohet në Task Forcën Qendrore Ndërinstitucionale “Forca e Ligjit”, e ngritur për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në vendin tonë.
Falë kontributit të SHISH-it në TFQ “Forca e Ligjit”, janë realizuar operacione, të cilat kanë arritur ndërprerjen e veprimtarisë anti-ligjore që kryenin këto grupe kriminale. Goditja dhe ndjekja e kësaj veprimtarie kriminale është shoqëruar edhe me evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive e parave të gjeneruara nga kjo veprimtari kriminale. SHISH-i gjithashtu mbledh informacion mbi trafikimin dhe tregtinë e paligjshme të armëve, municioneve dhe lëndëve plasëse, si dhe mbi veprimtaritë e individëve dhe organizatave të përfshira në prodhimin, trafikimin apo përdorimin e tyre për qëllime kriminale dhe terroriste. Emigracioni i paligjshëm dhe trafiku i qenieve njerëzore janë, po ashtu, objekt i veprimtarisë së SHISH-it.
SHISH-i mbledh informacion, bashkëpunon ngushtë dhe mbështet organet përgjegjëse shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në drejtimin kundër korrupsionit dhe krimeve në ekonomi. Veprimtaria e SHISH-it në këto fusha është e përqendruar në dukuritë e korrupsionit në nivele të larta në sistemin e drejtësisë dhe administratën publike, në evazionin fiskal në përmasa të mëdha dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit, në veprimtarinë e grupeve dhe organizatave të përfshira në pastrimin e parave dhe produktit kriminal, etj.

SIGURIA E INFORMACIONIT

SHISH-i, ashtu si edhe institucione të tjera shtetërore, ka qasje, administron dhe transmeton informacion të klasifikuar në rrjete të klasifikuara, të cilat mund të jenë objekt pune i shërbimeve të caktuara informative, i grupeve kriminale e terroriste, grupeve të krimit të organizuar, etj. Kërcënimet dhe sulmet kibernetike ndaj sistemeve të informacionit po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe kërkojnë një përgjigje profesionale dhe në kohë, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve, rritjes së bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore dhe trajnimit të vazhdueshëm të specialistëve të fushës.
Zhvillimet aktuale të teknologjisë dhe komunikimit digjital shfrytëzohen nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të kryer sulme kibernetike, spiunazh kibernetik, për të grumbulluar inteligjencë në fushën politike, ekonomike, ushtarake e teknologjike, për të forcuar propagandën, për të dërguar mesazhe te mbështetësit e tyre, për të bashkërenduar veprimtarinë dhe për të mundësuar operacione terroriste në terren. Në bashkëpunim me DSIK-në dhe institucione të tjera shtetërore, SHISH-i kontribuon në:

  • Sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar, nëpërmjet zbatimit të një tërësie masash fizike, teknike, elektronike dhe procedurale për ruajtjen e zonave, ndërtesave, zyrave, dhomave dhe pajisjeve ku administrohet dhe transmetohet informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror”, kombëtar, i NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Masat e sigurimit fizik kanë për qëllim mbrojtjen e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, kombëtar, të NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, nga veprimtaria e shërbimeve të huaja të vendeve jomiqësore, sulmet terroriste, vjedhja, dëmtimi, komprometimi, humbja, shkatërrimi, njohja nga persona të paautorizuar, të pacertifikuar, si dhe nga qasja e personave të paautorizuar në një nivel të caktuar informacioni të klasifikuar.
  • Sigurimin elektronik, me qëllim parandalimin e ndërhyrjes, nga persona të paautorizuar, në zonat e sigurisë dhe mjediset ku punohet me informacionin e klasifikuar “Sekret” shtetëror, kombëtar, të NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe vendosjen e pajisjeve dhe sistemeve të sigurimit elektronik, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive që synojnë të cenojnë sigurinë e informacionit të klasifikuar.
  • Zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar administrimin e informacionit të klasifikuar në sisteme informatike dhe transmetimin e tijtë sigurt, nëpërmjet rrjeteve të klasifikuara dhe të certifikuara. SHISH-i e siguron informacionin e klasifikuar që administron dhe e transmeton nëpërmjet rrjeteve të tij të klasifikuara.
  • Vetingun e personave të cilët kanë qasje dhe administrojnë apo transmetojnë informacion të klasifikuar në ente publike e jopublike.
  • Monitorimin dhe informimin në kohë për kërcënimet kibernetike dhe për grupe, individë apo organizata që përdorin hapësirën kibernetike për veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare.

GJENDJA POLITIKE DHE E SIGURISË NË RAJON

VEPRIMTARIA NË FUSHËN E ZBULIMIT

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përgjithësisht interesa gjeopolitike të përbashkëta dhe kanë ndërmarrë një sërë reformash për ndërtimin e shoqërive demokratike, ekonomisë së tregut, sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve të integrimit në strukturat euro-atlantike. Zëvendësimi përfundimtar i dinamikës së vjetër të shpërbërjes me dinamikën e re të integrimeve euro-atlantike mbetet një nga sfidat më të vështira për ndërtimin e një rajoni të sigurt e të integruar. Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur zgjidhje në drejtim të problemeve të mbartura ndër vite, në marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, ka probleme të cilat kanë cenuar stabilitetin dhe janë bërë pengesë në procesin e anëtarësimit në strukturat euroatlantike. Janë evidentuar kundërshti nga aktorë të veçantë rajonalë, të cilët kërkojnë të ruajnë status kuonë aktuale.
Kjo, për shkak të interesave të ngushta politike që frymëzohen apo nxiten nga organizime me baza etnike e nacionaliste apo nga aktorë të tretë, në funksion të çuarjes përpara të interesave të tyre gjeostrategjike dhe paraqitjes së alternativave të tjera, në raport me integrimin euroatlantik.
Anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë e shteteve të tjera të rajonit në NATO dhe procesi i integrimit në BE ka rritur premisat për më shumë siguri dhe stabilitet brenda vendit dhe në rajon.
SHISH-i monitoron me kujdes dhe në vijimësi zhvillimet e rëndësishme politike dhe të sigurisë, të cilat mund të kenë ndikim në sigurinë kombëtare, në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.