KONTROLLI I SHISH-IT

SHISH-i, për ligjshmërinë në gjithë veprimtarisë së tij, i nënshtrohet një kontrolli nga jashtë dhe nga brenda.

Kontrolli nga jashtë i SHISH-it

Kontrolli i jashtëm i SHISH-it është i trefishtë. Ai ushtrohet nga Kuvendi, nga Kryeministri dhe nga Prokurori i Përgjithshëm.

Kontrolli parlamentar
Në zbatim të ligjit nr. 8391, datë 28. 10. 1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar” të ndryshuar, veprimtaria e SHISH-it kontrollohet nga Kuvendi nëpërmjet Nënkomisionit të Përhershëm Parlamentar të ngritur për këtë qëllim. Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Drejtori i SHISH-it raporton mbi veprimtarinë e institucionit në komisionin përkatës parlamentar, në mënyrë periodike apo sa herë e gjykon të nevojshëm ky komision.

Kontrolli i ushtruar nga Kryeministri nëpërmjet Inspektorit të Përgjithshëm
Inspektori i Përgjithshëm, i caktuar nga Kryeministri dhe në varësi të drejtpërdrejtë nga Drejtori i SHISH-it, ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi veprimtarinë dhe përdorimin e fondeve për veprimtari specifike operative të SHISH-it.

Kontroll nga Prokurori i Përgjithshëm
Ky kontroll ka të bëjë me format dhe metodat e punës, me qëllim që ato të jenë në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Shqipërisë. Mbi SHISH-in ushtrojnë kontroll edhe Avokati i Popullit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kontrolli nga brenda i SHISH-it

SHISH ka edhe mekanizma të brendshme kontrolli, të cilat përdoren në funksion të realizmit të detyrave ligjore, nga instanca më e lartë te ajo më e ulët.

Kontrolli financiar
Ky kontroll realizohet nga njësia e auditit, në zbatim të ligjit nr.114/2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”. Misioni i auditimit të brendshëm është të kontrollojë menaxhimin financiar, të japë siguri të arsyeshme për titullarin e institucionit, në mënyrë të pavarur dhe objektive, si dhe këshilla për përmirësimin e veprimtarisë dhe efektivitetit në sistemin e kontrollit të brendshëm.

Kontrolle të autorizuara
Drejtori i SHISH-it ka të drejtë të autorizojë ushtrimin e kontrolleve në njësitë strukturore të SHISH-it nga persona apo njësi të autorizuar prej tij, për probleme të ndryshme që i gjykon ai si të nevojshme. Parimet e kontrollit të brendshëm janë: Parimi i ligjshmërisë, Parimi i befasisë ose periodicitetit, Parimi i njohjes dhe objeksionit të rezultatit bazuar mbi prova dhe fakte.

Në përfundim të kontrolleve, në përputhje me procedurat e përcaktuar në ligjin nr. 9357, datë 13.07.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, mund të jepen masa disiplinore me qëllim korrigjimin e veprimeve të punonjësve, në përputhje me kuadrin ligjor.

PROCEDURAT NË VEPRIMTARINË INFORMATIVO-OPERATIVE

SHISH-i është agjenci informative, nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak apo policor. SHISH-i ka të drejtë ligjore të mbledhë informacion, duke përdorur procedurat e miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm.

1. SHISH-i mbledh informacion nga burime informative njerëzore brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

2. Për të mbledhur informacionin e nevojshëm, në funksion të sigurisë kombëtare, SHISH-i përdor teknika të Kontrollit fizik, Kontrollit elektronik, Kontrollit postar dhe Përgjimit e regjistrimit të telekomunikimeve.

Për realizmin e procedurave të mësipërme, SHISH-i udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë dhe objektivitetit, si dhe ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Përgjimi i komunikimeve elektronike

Përgjimi i komunikimeve elektronike mbështetet në ligjin nr. 9157, datë 4. 12. 2003(ndryshuar me ligjin nr. 9885, datë 3. 3. 2008,me ligjin nr. 10 172, datë 22. 10. 2009, ndryshuar me ligjin nr. 116, datë 13. 12. 2012, ndryshuar me ligjin 60/2017, datë 27. 4. 2017).

1. Ligji përcakton procedurat që ndiqen për përgjimin e komunikimeve elektronike nga institucione shtetërore informative të krijuara me ligj për realizimin e detyrave të tyre, si dhe procedurat që ndiqen nga personat e ngarkuar për përgjim.

2. Parimet bazë për përgjimin e komunikimeve elektronike janë respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nevojshmëria dhe proporcionaliteti, sekreti dhe objektiviteti në kryerjen e tij.

3. Asnjë institucion publik, të cilit i lejon ligji përgjimin e komunikimeve, nuk mund të paraqesë kërkesa të tilla për çështje apo veprimtari të papërcaktuara nga ligji si fusha të detyrave apo veprimtarisë së tyre gjurmuese.

4. Miratimi/refuzimi i kërkesës për përgjimin e komunikimeve elektronike kryhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ose prokurori i autorizuar prej tij.

5. Me krijimin e Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkesa për përgjim depozitohet pranë Kryetarit të Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

6. Dhënia e së drejtës për përgjim, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim, miratohet ose refuzohet nga Kryetari i Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose nga zëvendëskryetari i saj.

7. Asnjë qytetar në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë objekt përgjimi/interceptimi i komunikimeve elektronike, pa miratim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Gjykatës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Programi i transparencës së SHISH

(në zbatim të ligjit nr.119/2014 "Për të drejtën e Informimit")

TRANSPARENCA E BUXHETIT

Buxheti faktik i Shërbimit Informativ të Shtetit për vitin 2017, ka qenë rreth 1,477 milion lek. Kjo vlerë është afërsisht 238.8 milion lek më shumë se në vitin 2013, ndërsa për vitin 2018 buxheti ishte rreth 1,548 milion lek ose 71.1 milion më shumë se realizimi i vitit 2017. Trendet e realizimit buxhetor nga viti 2013 deri në 2018 jepen në grafikun më poshtë.
Siç shihet nga grafiku, trendi buxhetor është në rritje, duke përballuar kërkesat më të mëdha për fonde, si përgjigje ndaj veprimtarive më të sofistikuara që cenojnë sigurinë kombëtare. Në çdo vit, pjesën më të madhe të buxhetit të SHISH-it e zënë shpenzimet për paga dhe sigurime për personelin, me trend uljeje 1% çdo vit.

Të dhënat mbi operacionet materiale dhe financiare të SHISH-it janë konfidenciale. Ndjeshmëria e veprimtarisë informative dhe të sigurisë kërkon detyrimisht mbrojtjen e të gjitha fushave të punës. Buxheti është një segment i totalit të gjithë këtyre veprimtarive dhe ka nevojë të mbrohet, meqë elementët përbërës të tij (financa, prokurimet, etj.) mund të ekspozojnë mjetet, pajisjet e prokuruara apo furnitorët, duke ndikuar negativisht në realizimin e objektivave. Realizimi i investimeve nga viti 2013 deri në vitin 2018 paraqitet në grafikun më poshtë.

Siç shihet nga tabela, trendi i rritjes së shpenzimeve për investime është i dukshëm deri në vitin 2015, ndërsa duke filluar nga realizimi i vitit 2017 deri në vitin 2021 (planifikimi), investimet qëndrojnë pothuajse në të njëjtin nivel. Shpenzimet faktike në këto vite janë fokusuar për blerje pajisjesh të teknologjisë së informacionit, me qëllim modernizimin e tyre, pajisje për tekniken operative dhe blerje automjetesh.

BASHKËPUNIMI BRENDA DHE JASHTË VENDIT

Në përmbushje të misionit të tij, SHISH-ika marrëdhënie bashkëpunimi me institucione shtetërore dhe agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. SHISH-i bashkëpunon me Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ministrinë e Financave, ILDKPKI, KLSH, Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, etj. Me urdhër të Kryeministrit, Drejtori i SHISH-it është anëtar i Komiteteve Ndërinstitucionale apo Komiteteve Shtetërore, kurse përfaqësues të SHISH-it janë anëtarë të grupeve ndërinstitucionale të punës për çështje të caktuara.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Globalizimi, dinamikat e zhvillimeve aktuale dhe të perspektivës, ndryshimet e vazhdueshme në mjedisin e sigurisë e kanë kthyer në domosdoshmëri koordinimin, bashkërendimin dhe bashkëpunimin mes shërbimeve partnere. Me qëllim që të kemi një panoramë informative sa më të plotë dhe profesionale, të sfidave dhe proceseve aktuale dhe perspektive të sigurisë, SHISH-i bashkëpunon në disa nivele me shërbimet inteligjente partnere. Për shkak të karakterit ndërkombëtar të dukurive të tilla si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, zhvillimi kompleks i teknologjisë dhe komunikimit, siguria kibernetike, liria e lëvizjes, forcimi i stabilitetit rajonal, veprimtaria e shërbimeve kundërshtare ndaj vendit tonë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut etj., asnjë shtet nuk mund të ndërmarrë kundërmasa dhe t’i luftojë ato në mënyrë efektive, pa bashkëpunim ndërkombëtar.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, procesi i anëtarësimit në BE, siguria dhe stabiliteti rajonal, kanë rritur përgjegjësinë dhe fushat e veprimtarisë së SHISH-it. Kontributi i çmuar si anëtar me të drejta të plota në NATO, angazhimet dhe detyrimet në kuadër të anëtarësimit në BE janë faktorë shumë të rëndësishëm në kuadrin e integrimeve euro-atlantike dhe në mbrojtjen dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Me qëllim parandalimin e rreziqeve dhe kërcënimeve që cenojnë sigurinë kombëtare, rajonale, etj., SHISH-i mbledh, përpunon, analizon dhe shpërndan informacion për strukturat vendimmarrëse si dhe bashkëpunon me strukturat e sigurisë dhe inteligjencës së NATO-s, BE-së dhe shteteve anëtare të tyre.
SHISH-i, si agjencia qendrore informative dhe e sigurisë, në kuadër të sigurisë kombëtare, rajonale e më gjerë, ka marrëdhënie partneriteti dy dhe shumëpalëshe me një numër të madh shërbimesh inteligjente të sigurisë dhe agjencish informative të vendeve të tjera, me të cilat bashkëpunon në kuadër të shkëmbimit të informacioneve, analizave, ekspertizës dhe në veprimtarive të përbashkëta operacionale. Bashkëpunimi është i shtrirë kryesisht me shërbimet inteligjente të vendeve të NATO-s dhe BE-së, me shërbimet inteligjente të rajonit, si dhe shërbime të vendeve të tjera, në kuadër të interesit të ndërsjellë.
SHISH-i është kontribuues aktiv në Komitetin e Inteligjencës Civile të NATO-s (NATO/ CIC) dhe Njësinë e Inteligjencës së NATO-s për Përpunimin e Informacionit (NATO/ IPU).
Nivelet e bashkëpunimit të SHISH-it me shërbimet informative të vendeve të tjera miratohen nga Kryeministri.
Bashkëpunimi dypalësh zhvillohet në kuadër të takimeve të përbashkëta, marrëveshjeve dypalëshe, trajnimit të personelit, vizitave të ndërsjella, shkëmbimeve të informacionit dhe operacioneve të përbashkëta.
Në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, SHISH-i ka të atashuar oficerë ndërlidhës në disa vende, të cilët kanë për detyrë forcimin e marrëdhënieve të punës me shërbimet informative të shteteve ku janë akredituar. SHISH-i është gjithashtu anëtar në disa formate dhe nisma shumëpalëshe rajonale e ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe sigurisë, të tilla si “SEEIC”, “MEC”, “ADRIA CLUB” etj., ku diskutohet dhe shkëmbehet ekspertizë mbi sfidat dhe problematikat e sigurisë. SHISH-i merr pjesë gjithashtu në platforma të ndryshme ndërkombëtare, të cilat diskutojnë dhe trajtojnë probleme të ndryshme të sigurisë dhe inteligjencës.
Nisur nga qasja në rajon, SHISH-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol konstruktiv në stabilitetin rajonal dhe ka marrë në vijimësi feedback shumë pozitiv nga shërbimet partnere.