Data / Vendimi

Vendimi nr.61, datë 22.11.1999 (V-61/99)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Hajredin Fuga, Alfred Karamuço, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Zija Vuci - relator i çështjes, më datat 05.10.1999, 11.10.1999 dhe 18.10.1999, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues:

KRYEMINISTRI I REPUBLIKES SE SHQIPERISE, me objekt: "Shfuqizimi i Ligjit nr.8479, datë 29.04.1999 "Për disa ndryshime në Ligjin nr.8391, datë 28.10.1998 "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë"".

Kërkuesi ka parashtruar fillimisht se në këtë ligj nuk ka gjetur pasqyrim ndryshimi që i ka bërë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë emërtimit të institucionit shtetëror të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Në kundërshtim me këtë dhe me projektin e paraqitur nga Qeveria, Kuvendi pa argumente bindës nuk ka pranuar që këtë institucion qendror ta emërtojë Shërbim Informativ i Shtetit dhe në ligjin e ri e ka lënë të pandryshuar emërtimin e tij të mëparshëm, Shërbim Informativ Kombëtar.

Por, për vetë natyrën sekrete që ka ky organ, i cili është në varësi të Kryeministrit, nuk mund të mbajë më këtë emër, pasi veprimtaria e tij me Kushtetutën e Re ka marrë një kuptim tjetër. Nga ana tjetër, duke insistuar gjithnjë për shfuqizimin në tërësi të ligjit të sipërpërmendur, përfaqësuesi i palës kërkuese, gjatë seancës gjyqësore pretendoi se në miratimin e këtij ligji është shkelur procedura e parashikuar në nenin 81 shkronja "f" të Kushtetutës, pasi ai është votuar jo nga 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën vetëm emërtimin "Kombëtar" në dispozitat e Ligjit nr.8479, datë 29.04.1999 "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", në dispozitat e Ligjit të nr.8391, datë 28.10.1998, si dhe rrëzimin e kërkesës për pjesën tjetër që ka të bëjë me shfuqizimin e ligjit nr.8479, datë 29.04.1999, duke arsyetuar:

Kërkesa e Kryeministrit është pjesërisht e drejtë. Ajo duhet pranuar, duke e shfuqizuar për papajtueshmëri me Kushtetutën jo në tërësi Ligji nr.8479, datë 29.04.1999 "Për disa ndryshime në Ligjin nr.8391, datë 28.10.1998 "Për Shërbimin Informativ Kombëtar", por vetëm ato pjesë që kanë të bëjnë me emërtimin e këtij organi.

Për koneksitet, kufijtë e shqyrtimit të kërkesës duhet të shtrihen edhe në ligjin bazë në ato dispozita që nuk i janë nënshtruar këtyre ndryshimeve.

Në nenin 92 shkronja "f" Kushtetuta përdor emërtimin "Shërbimi Informativ i Shtetit" dhe jo "Shërbimi Informativ Kombëtar". Në këto kushte ligjvënësi duhej t'i përmbahej tekstit të Kushtetutës dhe të bënte në ligjin e ri zëvendësimin e termit të mëparshëm me termin që përdor ajo. Pra, të vepronte ashtu siç ka vepruar kur ka zëvendësuar emërtimin "Kryetar i Këshillit të Ministrave" me emërtimin "Kryeministër" ose emërtimin "Kryetar" e "Zëvendëskryetar", me emërtimin "drejtor" e "zëvendësdrejtor". Mosrespektimi i kësaj kërkese, përbën shkelje të Kushtetutës. Prandaj Gjykata çmon se termi "Kombëtar" duhet të mënjanohet nëpërmjet shfuqizimit nga të gjitha dispozitat e ligjeve të sipërpërmendura.

I ndryshëm është qëndrimi i Gjykatës për sa i përket pretendimit të palës kërkuese, të ngritur gjatë seancës gjyqësore, sipas të cilit për miratimin e ligjit në fjalë nuk është respektuar procedura e parashikuar në nenin 81 shkronja "a" të Kushtetutës, sepse është votuar jo nga 3/5 e anëtarëve të Kuvendit.

Një pretendim i tillë është i pabazuar. Shërbimi Informativ i Shtetit nuk është organ kushtetues dhe për pasojë nuk përfshihet në kategorinë e atyre institucioneve për të cilat Kushtetuta kërkon që ligjet për organizimin dhe funksionimin e tyre të miratohen me shumicë të cilësuar votash.

Shërbimi Informativ i Shtetit është institucion që Kushtetuta e përmend vetëm për sa i përket emërimit të titullarit të tij, në kompetencë të Presidentit të Republikës. Trajtimi që i bën atij Kushtetuta, është i ndryshëm nga i institucioneve të tjera që ajo parashikon drejtpërsëdrejti, siç janë Kuvendi, Presidenti, Këshilli i Ministrave, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, etj., të cilat janë institucione kushtetuese në kuptim të nenit 81 pika 2 të Kushtetutës.

Votuan kundër vendimit Hajredin Fuga, Kujtim Puto dhe Kristofor Peçi. (V-GJK 61/99-FZ.32/99, fq.1256)