Roli i Shish në Sigurinë Kombëtare

ROLI

Me Ligjin nr. 9322, datë 25.11.2004 është miratuar Strategjia e Sigurisë Kombëtare në Republikën e Shqipërisë (SSK).  Kjo Strategji  përfaqëson tërësinë e instrumenteve shtetërore që sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve, të shoqërisë dhe të Shtetit Shqiptar nga kërcënimet dhe rreziqet, e jashtme dhe të brendshme.

Tipar themelor i SSK-së është respektimi i shtetit ligjor dhe kthimi i Shqipërisë nga një vend që ka konsumuar siguri në një vend që kontribuon në siguri.

SHISH-i ka rol të drejtpërdrejtë në misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë:

  1. Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;
  2. Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial;
  3. Mbrojtja e jetës dhe e pasurisë;
  4. Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik;
  5. Mbrojtja e dinjitetit dhe vlerave kombëtare.

 

Gjithashtu, SHISH-i jep kontribut me vlerë në realizimin e objektivave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK), e konkretisht në:

  1. Paqen e sigurinë në vend;
  2. Bashkëpunimin rajonal;
  3. Konsolidimin e shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut;
  4. Konsolidimin e institucioneve dhe instrumenteve të sigurisë;
  5. Integrimin në strukturat evropiane;
  6. Mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore;
  7. Luftën kundër terrorizmit;
  8. Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

SHISH-i vlerësohet si kontribues në sigurinë për qytetarët, shoqërinë dhe shtetin, brenda vendit, si dhe në Rajon e më gjerë.