Punësimi

PROÇESI I PUNËSIMIT

Punësimi në SHISH bëhet në bazë të nevojave të Shërbimit. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është mjaft rigoroz. Vendimet për punësimin në SHISH bazohen në vlerësimet për aftësitë e kandidatit, njohuritë, kapacitetet intelektuale, etj.

Pranimi kalon në fazat e shqyrtimit dhe verifikimit paraprak të dokumentacionit, të testimit me shkrim dhe intervistës me gojë.

Kriteret e punësimit:

  1. të jetë shtetas shqiptar;
  2. të jetë jo më pak se 18 vjeç;
  3. të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  4. të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor;
  5. të jetë i aftë nga ana shëndetësore;
  6. të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi;
  7. të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore e largimit nga administrata shtetërore për shkak të një shkelje të rëndë disipline;
  8. të plotësojë kërkesat specifike të vendit të punës për të cilin konkurron, si njohjen e një ose disa gjuhëve të huaja, njohuritë e mira të punës në kompjuter, etj.

Personat që punësohen në SHISH, krahas kërkesave të përgjithshme, duhet të plotësojnë kushtin e sigurisë dhe disa kërkesa të veçanta për punë specifike. Verifikimi i kushtit të sigurisë zbatohet ndaj personit, i cili kërkon të punësohet në SHISH, si dhe për lidhjet e tij me personat e familjes ose jashtë saj.

Personat që nuk plotësojnë kushtin e sigurisë nuk mund të lidhin marrëdhënie pune me SHISH-in.

Punonjësi që punësohet në SHISH i nënshtrohet periudhës së provës prej një viti nga data e emërimit.

 

Lutemi vini re: Shërbimi Informativ i Shtetit nuk është i detyruar ta sqarojë shtetasin për shkaqet, për të cilat ai nuk është pranuar në punë.