Themelimi i Shërbimit Sekret Shqiptar
1912
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, u formua Qeveria, me kryeministër Ismail Qemalin, e cila filloi ngritjen e institucioneve të Shtetit Shqiptar.
Ndër to, më 17 Dhjetor 1912, u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar, ku thuhej: “Të organizohet një shërbim i msheftë për vise të shkeluna të Shqipërisë”.
Për organizimin e tij u ngarkuan Bajram Curri dhe Lef Nosi, trashëgimtarë të denjë të rilindjes kombëtare.
Vazhdimësinë e shërbimit sekret shqiptar e shohim përsëri pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit (në vitin 1913), gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.
Konsolidimi i Shërbimit Sekret
1920 – 1921
Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës bëri organizimin e Këshillit të Naltë dhe risanksionoi ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe krijimin e Ministrisë së Brendshme.
Më datë 24 dhjetor 1921, ministër i Punëve të Brendshme u dekretua Ahmet Zogu, i cili bëri riorganizimin e MPB-së, duke krijuar dhe Seksionin Sekret. Drejtues i këtij seksioni u caktua Haki Stërmilli.
1922 – 1939
Në planin historik, shërbimi kryesor inteligjent shqiptar, gjatë kësaj periudhe ka patur këto emërtesa: në vitin 1922, Sekretari Sekrete dhe, në vitet 1923-1939, Zyra Sekrete.
Në nivel qendror, veprimtaria e shërbimit sekret do të drejtohej nga Zyra Sekrete, ndërsa në nivel vendor drejtohej nga Prefekti, i cili kishte ngritur një zyrë të posaçme që merrej me “Çështje rezervate”.
1927
Në konsolidimin e institucioneve të Shtetit Shqiptar, nga janari 1927, pati rëndësi edhe organizimi i Shërbimit Informativ të Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili shtrin veprimtarinë agjenturore dhe operative jashtë vendit, me koperturë misionet tona diplomatike jashtë shtetit.
Ky rrjet informativ vepronte i lidhur me mekanizmin Konsullatë - Legatë – Prefekturë.
Organet e Sigurimit të Shtetit
1944 – 1946
Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën dhjetor 1944 - mars 1945, Shteti Shqiptar i kushtoi menjëherë rëndësi të veçantë krijimit të organeve të Sigurimit të Shtetit.
Këto ishin vijuese të Shërbimit Informativ Ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fillimisht, pas çlirimit të vendit u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila funksionoi deri në vitin 1946, kohë kur u krijua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.
1966 – 1991
Në vitin 1966 u bë riorganizimi në tre drejtime: Drejtoria e Parë e Kundërzbulimit, Drejtoria e Dytë e Udhëheqjes dhe Drejtoria e Tretë e Zbulimit Politik, struktura që u ruajtën deri në fillim të vitit 1991.
Organet e Sigurimit të Shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të pambështetur në ligj. Kjo solli shkelje të rënda të ligjit dhe të të drejtave të njeriut për shkak të praktikave të padrejta dhe tejkalimit të kompetencave, sidomos në kuadrin e luftës së klasave dhe të nxitjes artificiale të saj.
Reformimi
1991
Pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, organet e Sigurimit të Shtetit u reformuan, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor.
Në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK), me Ligjin nr. 7495, datë 2.7.1991. Detyrë parësore e këtij Shërbimi u vendos parandalimi, zbulimi dhe ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
SHIK-u u krijua si një institucion i depolitizuar dhe si i tillë ai ka pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme.
1998
Me Ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 vendoset që Shërbimi Informativ Kombëtar është organ informativ në funksion të sigurimit kombëtar, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë.
1999
Me Vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 61, datë 22.11.1999, u ndryshua emërtimi, nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK), në Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH).
"Dekorata e Artë e Shqiponjës" për SHISH
2016
Me Dekret të Presidentit të Republikës, nr. 9668, datë 29.6.2016, i akodrohet Shërbimit Informativ të Shtetit “Dekorata e Artë e Shqiponjës” me motivacionin:
“Për punën, përpjekjet, sakrificat dhe arritjet e vazhdueshme 25 vjeçare të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit në realizimin me guxim, qëndrueshmëri, besnikëri, përkushtim e vetmohim të detyrave të tyre ligjore; për forcimin e sigurisë së shtetit e qytetarëve të tij, si dhe për garantimin e suksesit të zhvillimit ekonomik, shoqëror, liberal e demokratik të vendit”
Sfidat e shekullit XXI
Shërbimi i inteligjencës shqiptare i shekullit 21 përballet me kërcënimet e reja për sigurinë e vendit tonë e mbarë botën, të cilat po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe më të sofistikuara.
Për të garantuar sigurinë, qeveria, agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë si dhe populli shqiptar duhet të bashkëpunojnë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt për vendin.