Fjalor

FJALOR

Agjenci - Organizatë ose organ i angazhuar në veprimtari kërkimore informative ose/dhe në vlerësimin, përpunimin dhe  analizimin e të dhënave.

Akses - Mundësia e një personi për të marrë informacion rreth një personi tjetër, ambienti, grupi, organizate, etj.

Agjent - Një person, i cili është i ndërgjegjshëm se ai/ajo është i përfshirë në një aktivitet të fshehtë, një person, i cili i nënshtrohet deri në një masë të caktuar kontrollit nga organizata/agjencia e fshehtë dhe kryen detyrat për të cilat është rekrutuar.

Brifing – Përgatitja e një personi (agjenti) për një mision specifik.

Buletin - Njoftim i shkurtër zyrtar për diçka me rëndësi shtetërore e shoqërore; kumtim i përmbledhur për diçka të  rëndësishme; fletë a broshurë që përmban njoftime të tilla ose udhëzime të posaçme për një rreth të caktuar njerëzish; botim periodik i një institucioni me studime  nga fushat përkatëse; përmbledhje periodike studimesh.

Buletin informativ - Dokument periodik që përditëson dhe transmeton fluksin e të dhënave.

Burim - Çdo ent, person, dokument, transmetim ose material tjetër që jep zanafillën e të dhënave informative. Person apo mekanizëm që i siguron informacion një agjencie sekrete  në përgjigje të kërkesave specifike.

Burim i hapur - Çdo burim që nuk gëzon mbrojtje të veçantë fizike ose ligjore dhe është i arritshëm nga kushdo. Identifikohet me atë funksionar, i cili, për arsye të detyrës së tij, zyrtare dhe përfaqësuese, është në gjendje të japë të dhëna të marra në formë ligjore dhe që nuk janë përhapur normalisht nga mjetet e informimit.

Burim i mbyllur - Çdo burim që përbën objekt dhe subjekt për t’u mbrojtur. Burime që nuk duhen zbuluar ose të vihen në rrezik për t’u zbuluar.

Certifikatë Sigurie - Certifikatë e lëshuar nga autoritetet kompetente kombëtare për të treguar se, në lidhje me personin që interesohet janë bërë hetimet e duhura dhe se ai ndërkohë mund të njihet me materialet e klasifikuara, deri në shkallën e vënë në vetë certifikatën.

Deklasifikim - Ndryshimi i klasifikimit për një dokument ose material “sekret” e “tepër sekret”, për një klasifikim më të ulët ose për të hequr shkallën e sekretit.

Disinformim - Paraqitja e të dhënave të rreme ose pjesërisht të vërteta, por me vlerë të ndryshuar ose të vërteta, por të paraqitura me kuptim të rremë, me qëllim që të fusë në mashtrim dhe të nxisë marrjen e vendimeve të gabuara nga ana e atyre që i është drejtuar disinformacioni.

HUMINT - “Human intelligence”. Tregon kategorinë e informacioneve, që rrjedhin nga të dhënat e marra nga burimet njerëzore.

Hetim dhe/ose investigim - Tërësia e veprimeve për të gjetur dikë a diçka që nuk dihet se ku është ose  diçka të re e të panjohur, duke hetuar, duke gjurmuar, etj.

Investigim - Mbledhja e fakteve rreth një agjenti potencial përfshi informacionin biografik, mënyrën e jetesës dhe informacion profesional.

Informacion - Njoftim që marrim për diçka; të dhëna për dikë ose diçka; kumtim ose lajm që jepet për dikë ose diçka; veprimtari që synon të marrë dhe të japë njoftime e të dhëna për diçka ose dikë. Me informacion kuptohet prodhimi informativ i përfunduar ose rezultati final i procesit të përpunimit që ka pësuar një lajm, që përfshin analizën, vlerësimin, integrimin dhe interpretimin e tij.    

Kërkim - Tërësia e veprimeve për të mësuar mbi fakt, ngjarje apo person të caktuar; tërësia e masave që merren për të mësuar për një dukuri, fenomen apo person të caktuar; punë kërkimore, hulumtim, skedim, punë sistematike që bëhet për të zbuluar diçka a dikë.

Kundërzbulim - Disiplina brenda një agjencie të fshehtë konceptuar për të zbuluar dhe penguar veprimtarinë e agjencive të fshehta kundërshtare në përpjekjet e tyre për të identifikuar dhe infiltruar agjencinë e fshehtë, personelin dhe veprimtaritë e saj.

Motivim - Nevojat, qëllimet personale dhe dëshirat materiale të një personi.

Organizatë sekrete - Organizatë (zakonisht e sponsorizuar nga qeveritë) që autorizon, kontrollon dhe mbështet veprimtarinë sekrete informative.

Rekrutim - Akti i bindjes së një kandidati për agjent, që të hyjë në një marrëdhënie sekrete me agjencinë e fshehtë, duke pranuar drejtim dhe kontroll nga agjencia.

Rikonjicion - Operacion i ndërmarrë me qëllim për të marrë nëpërmjet vëzhgimit të drejtpërdrejtë ose me sisteme të tjera të dhëna mbi veprimtarinë, burimet, forcat e armatosura të një shteti me interes ose për të vërtetuar të dhëna që i takojnë karakteristikave metereologjike, hidrografike ose gjeopolitike të njerëzve të veçantë.

Siguria Kombëtare - Mbrojtja e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe marrëdhënieve me jashtë të Republikës së Shqipërisë.

Target - Person, ambient, organizatë, aktivitet, fenomen apo çdo lloj entiteti tjetër ndaj të cilit drejtohet veprimtaria klandestine.

Terrorizëm - Përdorimi i dhunës pa rrethana lehtësuese kundër shoqërisë nga ana e një pakice, e cila operon në mënyrë të fshehtë, që ka qëllim të arrijë synime politike që nuk mund t’i arrijë ndryshe, duke i ngjallur frikë publikut dhe miratim të mundshëm në kuptim të destabilizimit të ekuilibrave. Ajo që e dallon terrorizmin nga subversioni është elementi dhunë. Terrorizmi tenton të vërë një individ ose një grup individësh në kushte të frikshme për jetën e tyre ose për atë të të tjerëve ose të pësojë dëmtime për vete dhe të tjerë, në mënyrë që ta shtyjë të marrë vendime që janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë dhe moralit. Nuk ka një përcaktim të njohur për terrorizmin të pranuar nga OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara).

Zbulim - Mbledhja e të dhënave të ndryshme për kundërshtarin, për terrenin, etj., që bëhet në mënyrë të fshehtë; organ i posaçëm shtetëror që ka për detyrë të mbledhë dhe të studiojë të dhënat e fshehta për veprimtarinë dhe gjendjen ekonomike, politike, ushtarake, etj., të shteteve të tjera kundërshtare.